Një nga prioritetet e Qeverisë së ardhëshme të Kosovës, e cila pritet të themelohet gjatë muajit nëntor, padyshim se duhet të jetë Diaspora! Është kohë e fundit që përfaqësues të Diasporës, veprimtarë, studjues nga fusha te ndryshme, së bashku me përfaqësitë e Republikës së Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, të ulemi së bashku dhe të merremi vesh për t’ardhmen tonë – per t’ardhmen e rinisë tonë në diasporë!

Është kohë e fundit që të gjithë së bashku me një KONVENTË të përbashkët, të merremi vesh rreth t’ardhmes së diasporës, respektivisht formave organizative të cilat mund ta ruajnë e frymëzojnë rininë e diasporës, që ajo në vazhdimësi, në çdo kohë e vend, të jetë e pergaditur që të veproj për t’mirën e vet dhe të atdheut!

Është kohë e fundit që ti japim vetes dhe shteteve ku po jetojmë e veprojmë, përgjigjen se kah po duam të shkojmë si diasporë e si nacion? Duam të vazhdojmë kështu si jemi të organizuar në baza partiake, fetare, rajonale, krahinore e shtetrore, apo kemi alternativa tjera per organizim në baza të kulturës, gjuhës, artit dhe traditave kombëtare?

Mendoj se është kohë e fundit që mërgata shqiptare, të veproj e bashkuar rreth Vizionit rë Qendrave Kulturore Shqiptare, të cilat duhet të ngriten nëpër gjitha shtetet ku jetojnë e veprojnë mërgimtarë shqiptarë! Të bashkuar rreth Vizionit të QENDRAVE KULTURORE SHQIPTARE, mund ta shpëtojmë të ardhmen tonë – Rininë dhe Atdheun!
Ahmet Asani