APEL DREJTUAR QEVERITARËVE NË KOSOVË, SHQIPËRI E MAQEDONINË E VERIUT, PËR RUAJTJEN E DIASPORËS SHQIPTARE NGA ASIMILIMI!

Në kohën e Rilindjes Kombëtare, pavarësisht cilit religjion i takonin shqiptarët, ata i bashkonte Fryma Kombëtare! Atbotë kur shqiptarët nuk kishin as shtet e as ministri te arsimit, Rilindasit tanë librat dhe abetaret i shkruanin vet, punën e mësuesit e benin vet, kurse shtypjen e librave dhe financimin e aktiviteteve kombëtare e bënte diaspora!

Sot kemi ministri, kemi ministra e ambasadorë shqiptarë në tri shtetet tona. Kemi intelektualë e klerikë si në vend ashtu edhe diasporë, por mjerisht nuk kemi një sistem të rregulluar për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, artit, kulturës dhe traditave tona kombëtare në diasporë, pra nuk kemi sistem per ruajtjen e rinisë shqiptare nga asimilimi!

Të rregulluara e të rahatuar ne diasporë e kemi personelin e ambasadave dhe konsullatave! Poashtu edhe kleriket në diasporë janê të rahatuar mirê, marrin rroga të mira, i kanê vendet e punës ne objektet fetare, rrinê aty dhe luten që të vazhdoj kjo Frymë fetare !

Degët dhe Nëndegët e partive politike aktive në diasporë, në vend se ta bashkojnë diasporën shqiptare në baza kombētare, ato vetëm sa po e ndajnë më shumë në baza partiake!

MISIONI dhe VIZIONI, i diasporës shqiptare, ështê shkollimi i rinisë, ruajtja e kultivimi i gjuhës, artit, kulturës dhe e traditave kombëtare, është kthimi i diaspores në trojet tona etnike, investimi në ekonomi, me qëllim të fundit ndaljen e migrimit dhe forcimin e shteteve ku jetojnë shqiptarët!

Në shërbim të këtij VIZIONI do të duhej të ishin shtetet tona, politikanët tanë dhe klerikët e religjioneve që kemi! Religjionet dhe partitë që kemi duhet të jenë në shërbim të kombit, e jo kombi të jetë në shërbim të partive e relogjioneve!

Nëse dikush është i rrezikuar nga asimilimi, ata janë fëmijët tanë, nipat, dhe mbesat tona në diasporë! Nëse vazhdojmë kështu si jemi, pas disa dekadash e brezash, nipat e stërnipat tanë, mund ta ndiejnë veten pjestarê tê ndonje partie, mund ta ndjejnê veten katolik, ortodoks, musliman sunit apo bektashian, por me siguri se nuk do të flasin më shqip dhe nuk do ta ndiejnë veten shqiptar!

Në diasporë kemi mijëra klerikê të të gjitha religjioneve, të gjithë janë të sistemuar me kushte banimi e të ardhura mujore tê rregulluara , kurse nuk e kemi asnjë dijetar shqiptar në shërbim të gjuhës, artit, kulturës e traditave kombëtare, i cili ka qëndrim tê rregulluar, rrogë dhe hapsira pune adekuate!

Në Zvicër i kemi mbi 80 objekte, të cilat janë blerë me para të popullit dhe janë shndërruar e adaptuar në objekte fetare, një pjesê ketyre objekteve janë ndërtuar nga themeli, por nuk e kemi asnjë QENDËR KUKTURORE KOMBËTARE!

Në emrin tim dhe të shoqatës «Bashkësia Shqiptare në Zvicër», shfrytëzoj nga rasti që t’ju bejë Apel qeveritarëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, gjithë Veprimtarëve, Intelektualëve e Klerikëve shqiptarë me Frymë Kombëtare Shqiptare, që të bashkuar të punojmë për shpëtimin e t’ardhmës tonë, rinisë tonë në diasporë nga asimilimi!

«Bashkësia Shqiptare në Zvicër»
Kryetari Ahmet Asani